Avokati i Popullit, Endri Shabani ka reaguar pas konstatimeve rreth institucionit në Progres-Raportin e Komisionit Evropian të publikuar ditën e sotme.
Në Progres-Raportin e KE konstatohet se ‘Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës duke kështu thyer një traditë të konsoliduar të konsensusit ndërmjet forcave politike’. Këtij konstatimi Avokati i Popullit në reagimin e tij i përgjigjet duke cituar një tjetër konstatim në Progres-Raport që thekson se megjithëse zgjedhja e bërë pa konsensus mes palëve, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se procedura e zgjedhjes ishte e ligjshme.
Më tej në reagimin zyrtar, Avokati i Popullit citon konstatimet e tjera të Progres-Raportit rreth institucionit, mes tyre ushtrimi i mandatit në mënyrë të kënaqshme, si dhe problematika kryesore që sipas Avokatit të Popullit mbetet moszbatimi i rekomandimeve të tij nga institucionet që mbetet në shkallën 17%.


