Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, ka mirëpritur sot në Shkup Sanel Ibrićin, drejtor ekzekutiv të Panairit Ndërkombëtar ZEPS, së bashku me përfaqësues të Agjencisë për Zhvillim ZEDA nga Zenica e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Delegacioni fillimisht është pritur në Ministrinë e Bujqësisë, ku ka zhvilluar takim me ministrin Borçe Serafimovski dhe zëvendësministrin Hoxha. Më pas, të shoqëruar nga Hoxha, përfaqësuesit nga Bosnja dhe Hercegovina kanë vizituar Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP).
Në qendër të takimeve ishte mundësia e pjesëmarrjes së kompanive nga Maqedonia e Veriut në panairin ndërkombëtar ZEPS, që do të mbahet në shtator të vitit 2027 në Zenicë, me theks të veçantë në promovimin e produkteve bujqësore dhe ushqimore, zgjerimin e kontakteve afariste dhe depërtimin në tregjet rajonale.
Hoxha, i cili më herët kishte vizituar panairin ZEPS në Zenicë, e ka vlerësuar këtë vizitë si vazhdimësi të kontakteve dhe bashkëpunimit të krijuar me organizatorët e panairit.
“Miqësitë që krijohen përmes bashkëpunimit janë edhe më të vlefshme kur sjellin mundësi të reja për bizneset dhe vendet tona”, ka theksuar Hoxha, duke falënderuar Sanel Ibrićin dhe delegacionin nga Zenica për vizitën në Shkup.


