Rreth 200 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës u angazhuan për orë të tëra për të shuar zjarrin që përfshiu ndërtesën historike “Foleja e Shqiponjës” (The Eagle’s Nest), në Bavari të Gjermanisë.
Zjarri shpërtheu në Kehlsteinhaus, pranë Berchtesgadenit, ndërsa sipas gazetës gjermane Bild, ndërtesa ka pësuar dëme të mëdha dhe mund të jetë e pamundur të shpëtohet.
Policia ka ndaluar një person pranë vendit të ngjarjes dhe po heton shkaqet e zjarrit. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse personi i ndaluar ka lidhje me incidentin.
Ndërtesa u ndërtua në vitin 1938 si shtëpi pritjeje për zyrtarët nazistë dhe mysafirët e tyre. Ajo ndodhet në Alpet bavareze dhe përdorej herë pas here edhe nga Adolf Hitleri, për çka njihej edhe si “Shtëpia e Çajit e Hitlerit”.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, objekti u ruajt si monument historik i lidhur me periudhën naziste.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur, ndërsa hetimet e autoriteteve bavareze janë në vazhdim.


