Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar përmes një postimi në media sociale lidhur me protestat e fundit në Tiranë, duke theksuar se institucionet publike nuk duhet të jenë objekt i dhunës, por të sfidohen përmes argumenteve dhe komunikimit.
“Institucionet nuk goditen, por sfidohen me argumente dhe dialog”, shkruan Gogu, duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë institucionet dhe të kërkojnë llogari, por zgjidhja e problemeve duhet të kalojë përmes dialogut.
Në postimin e tij, ministri ka ndarë edhe qëndrimin e Leopoldos, anëtar i Shoqatës Botërore të Juristëve (World Jurist Association) dhe pjesë e ekipit të World Law Foundation, i cili ka qëndruar në Tiranë gjatë ditëve të fundit dhe ka ndjekur nga afër protestat.
Leopoldo u shpreh se i kupton kërkesat e studentëve për më shumë akses në arsim dhe mundësi më të mira punësimi, por theksoi se edhe mënyra e paraqitjes së kërkesave duhet të jetë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
“Kur kërkon diçka nga qeveria jote, duhet gjithashtu të marrësh në konsideratë që duhet ta bësh në mënyrën e duhur”, u shpreh ai.
Sipas tij, institucionet publike, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, u përkasin qytetarëve dhe për këtë arsye dialogu duhet të jetë rruga përmes së cilës adresohen pakënaqësitë dhe kërkesat për ndryshim.


