Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit.
Seanca e sotme është e para që zhvillohet në Kuvend pas nisjes së protestave të dhunshme të regjistruara gjatë ditëve të fundit.
Në fokus pritet të jetë situata e krijuar në vend, pasi në pikën e tretë të rendit të ditës është parashikuar një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelanca pritet të rikthejë në qendër të debatit parlamentar menaxhimin e protestave, veprimet e Policisë së Shtetit dhe përplasjet e regjistruara gjatë ditëve të fundit.
Përveç interpelancës me ministrin Demo, në rendin e ditës janë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e sotme do të shqyrtohen edhe disa projektligje, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Kryeministri Edi Rama nuk pritet të jetë pjesë e seancës së sotme plenare, pasi ndodhet në Budva, Mal i Zi, për një takim zyrtar.
Në këtë situatë, vëmendja pritet të përqendrohet te debati parlamentar dhe veçanërisht te interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, në një kohë kur vendi ndodhet nën tensionin politik të krijuar pas protestave.


