Franca raportoi të enjten rastin e parë njerëzor të virusit Shamonda, që zakonisht gjendet në bagëti.
Këtë virus e kishte një pacient i cili më vonë vdiq, por autoritetet thanë që nuk kishte rrezik për popullatën e përgjithshme në këtë fazë.
Dyshohet se viktima është kafshuar nga një mushkonjë që mbante virusin në Francën lindore, ku ai kishte qarkulluar midis kafshëve këtë pranverë dhe verë tha qeveria në një deklaratë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e OKB-së tha se ishte në kontakt me autoritetet franceze në lidhje me shpërthimin.
PËRHAPJA E VIRUSI TE KAFSHËT NË EVROPË
Shamonda transmetohet nga mushkonjat që kafshojnë dhe gjendet më shpesh tek bagëtia, megjithëse është gjetur edhe tek kuajt, delet dhe dhitë, sipas Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH).
Sipas Reuters, nuk klasifikohet si sëmundje sipas Ligjit të BE-së për Shëndetin e Kafshëve dhe nuk i nënshtrohet masave zyrtare të mbikëqyrjes ose kontrollit.
E identifikuar në Nigeri në mesin e viteve 1960, Shamonda u konfirmua për herë të parë në Evropë në fund të korrikut pas testeve gjenomike mbi bagëtinë e sëmurë në Gjermaninë jugore, Zvicër dhe Francën lindore.
Virusi ka disa efekte te kafshët, që shfaq diarre, dobësi, humbje të oreksit dhe, më rrallë, ethe, thanë autoritetet franceze të shëndetit të kafshëve. Një studim i nëntë fermave franceze të qumështit zbuloi se prodhimi i qumështit ra deri në 75%.


