Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur më shumë se dyfishi në gjashtë vitet e fundit, duke arritur në rreth 29 mijë lekë (315 euro) në muaj për një person në vitin 2025.
Por, ndërsa pragu i të ardhurave që e klasifikon një individ në rrezik varfërie është rritur me ritme të shpejta, pensionet dhe pagesat e ndihmës ekonomike mbeten shumë më poshtë këtij niveli.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një familje me një person arriti në 349,565 lekë në vitin 2025, ose 29,130 lekë në muaj, nga 14,232 lekë në muaj në vitin 2019.
Në gjashtë vjet, ky prag është rritur me 104.7%, ose rreth 15 mijë lekë në muaj. Rritja është përshpejtuar sidomos pas vitit 2022, kur kufiri i varfërisë ishte rreth 18,800 lekë në muaj, ndërsa në vitin 2024 kishte arritur në 27 mijë lekë.
Por pjesa më shqetësuese e të dhënave lidhet me hendekun e madh mes këtij kufiri dhe të ardhurave që sigurojnë kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, veçanërisht pensionistët dhe familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike.


