Futbolli ka nisur të testojë një risi teknologjike në gjykimin e ndeshjeve, pasi në Uruguaj janë përdorur kartonët e verdhë dhe të kuq në formë dixhitale, në vend të atyre tradicionalë.
Prova u zhvillua më 15 tetor, në ndeshjen mes Nacionalit dhe Rentistasit, në kuadër të Kupës së Uruguait, ku gjyqtari Eduardo Varela përdori një pajisje elektronike për të sinjalizuar ndëshkimet disiplinore.
Pajisja, e cila ngjan me një telefon ose tablet të vogël, është krijuar për të lehtësuar punën e gjyqtarëve dhe për të përmirësuar regjistrimin e ngjarjeve gjatë ndeshjeve.
Përmes këtij sistemi synohet që kartonët, përjashtimet dhe ngjarjet e tjera disiplinore të regjistrohen në mënyrë automatike në sistemin COMET të Federatës Uruguaiane të Futbollit.
Sipas raportimeve të mediave, pajisja mund të funksionojë edhe pa lidhje Wi-Fi, duke mundësuar përdorimin e saj gjatë ndeshjeve pa pasur nevojë për lidhje të vazhdueshme me internetin.


