FIFA ka ndëshkuar Federatën Spanjolle të Futbollit pas thirrjeve antiislame të një grupi tifozësh gjatë ndeshjes miqësore mes Spanjës dhe Egjiptit, të zhvilluar në mars, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.
Sipas BBC-së, Spanja do të duhet ta zhvillojë miqësoren e radhës me vetëm 15 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur, kryesisht në tribunat prapa portave, si dhe të paguajë një gjobë prej 20 mijë dollarësh.
Ndeshja mes dy përfaqësueseve përfundoi me rezultat 0:0, por u shoqërua me thirrje diskriminuese nga një pjesë e tifozëve spanjollë, të cilët brohoritën sloganin “Kush nuk kërcen është mysliman”.
Në përpjekje për të kundërshtuar këto sjellje, në ekranet e stadiumit u shfaqën mesazhe kundër diskriminimit. Megjithatë, një pjesë e tifozëve reaguan duke fishkëllyer.
Federata Spanjolle e Futbollit i dënoi publikisht thirrjet, ndërsa përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, i cilësoi ato si “të patolerueshme”.
Megjithatë, në mbrojtjen e paraqitur para FIFA-s, federata argumentoi se thirrjet nuk përbënin sjellje diskriminuese. Komiteti disiplinor i FIFA-s e hodhi poshtë këtë pretendim dhe vendosi masat ndëshkuese.
Edhe Federata Egjiptiane e Futbollit i dënoi thirrjet, duke i cilësuar ato si një akt racist të papranueshëm.
Ndëshkimi vjen në kuadër të përpjekjeve të futbollit ndërkombëtar për të luftuar racizmin dhe diskriminimin në stadiume.


