Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ndodhen në fazën përfundimtare të përgatitjes së kontratave për furnizimin me naftë, ndërsa dërgesa e parë prej 40 mijë tonësh karburant rus pritet të niset drejt tregut amerikan të enjten, më 22 tetor.
Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministri rus Alexander Novak, i cili deklaroi se marrëveshjet përkatëse janë drejt finalizimit. Sipas raportimeve, informacioni është konfirmuar më pas edhe nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi me Steve Witkoff.
“Cisterna e parë është planifikuar të niset nga porti nesër, më 22 tetor, me destinacion Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Novak para gazetarëve.
Zyrtari rus theksoi se kjo dërgesë pritet të pasohet nga furnizime të tjera, në përputhje me kapacitetet prodhuese të Rusisë dhe nevojat e tregut amerikan.
“Dhe pastaj, sigurisht, do të vijnë grupet e ardhshme. Siç ranë dakord të dy udhëheqësit, ne do t’i përmbushim nevojat e Shteteve të Bashkuara në masën që na lejojnë aftësitë tona”, u shpreh ai.
Novak sqaroi se Moska nuk synon rikthimin e menjëhershëm të eksporteve në kapacitet të plotë, pasi vëllimet e furnizimit do të varen nga prodhimi i rafinerive ruse.
Sipas tij, Rusia mund të arrijë kapacitetin e plotë të eksporteve deri në fund të vitit, ndërsa furnizimet për vendet e tjera do të përcaktohen nga sasitë që mbeten të disponueshme pas përmbushjes së nevojave amerikane.
“Tani për tani nuk po i rikthejmë eksportet në kapacitetin tonë të plotë, por sipas aftësive të rafinerive tona”, deklaroi zëvendëskryeministri rus.
Çështja e furnizimeve me naftë ishte diskutuar edhe gjatë një bisede telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut rus Vladimir Putin, më 9 tetor. Sipas palës ruse, Moska ka shprehur gatishmërinë për të furnizuar me naftë dhe produkte të saj si tregun amerikan, ashtu edhe tregjet ndërkombëtare.
Novak ka deklaruar gjithashtu se Rusia synon të rrisë gradualisht eksportet, duke parashikuar furnizime prej 300 mijë tonësh gjatë tetorit, 500 mijë tonësh në nëntor dhe një milion tonësh në dhjetor.
Objektivi afatgjatë i Moskës, sipas tij, është që eksportet të arrijnë gradualisht në tre milionë tonë në muaj.


