Është një nga mitet më të përhapura në botën e fitnesit: nëse ndalon palestrën, muskujt kthehen në dhjamë. Por, sipas ekspertëve, e vërteta është krejt ndryshe. Profesori Leigh Breen, specialist i fiziologjisë së muskujve në Universitetin e Leicesterit, shpjegon se muskuli nuk mund të shndërrohet në dhjamë, pasi bëhet fjalë për dy lloje të ndryshme indesh, të cilat nuk kthehen nga njëri në tjetrin.
Atëherë, pse trupi mund të duket ndryshe kur ndërpresim stërvitjen? Sipas ekspertit, kur ndalojmë ushtrimet, veçanërisht stërvitjen me pesha, mund të fillojmë të humbasim një pjesë të masës muskulore të fituar gjatë muajve të stërvitjes. Në të njëjtën kohë, nëse vazhdojmë të konsumojmë të njëjtën sasi ushqimi, ndërkohë që shpenzojmë më pak energji, mund të shtojmë yndyrë trupore.
Kombinimi i humbjes së muskujve me rritjen e yndyrës mund të krijojë përshtypjen se muskuli është kthyer në dhjamë, por në realitet bëhet fjalë për dy procese të ndryshme. Një ndërprerje e shkurtër e stërvitjes nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshime të mëdha në trup. Nëse pushoni për disa javë, por vazhdoni të jeni fizikisht aktivë, ndryshimet mund të jenë më të vogla sesa në rastet kur qëndroni për një kohë të gjatë pa lëvizur, për shembull, për shkak të një dëmtimi.
Edhe ushqyerja luan një rol të rëndësishëm. Gjatë periudhave kur stërvitja reduktohet, rekomandohet të ruhet një konsum i mjaftueshëm proteinash për të mbështetur masën muskulore, ndërsa sasia e kalorive mund të përshtatet sipas nivelit të ri të aktivitetit fizik. Në fund të fundit, luhatjet e vogla në masën muskulore dhe atë dhjamore janë pjesë normale e ndryshimeve të trupit. Ajo që ka më shumë rëndësi është ruajtja e zakoneve të shëndetshme në planin afatgjatë, përmes aktivitetit fizik të rregullt dhe një ushqyerjeje të ekuilibruar. Pra, nëse vendosni të bëni një pushim nga palestra, nuk keni pse të shqetësoheni se muskujt do të kthehen në dhjamë. Megjithatë, niveli i aktivitetit dhe mënyra e të ushqyerit mund të ndikojnë në mënyrën se si ndryshon trupi juaj me kalimin e kohës.


