Këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani, ka shprehur publikisht mbështetjen për studentët që po protestojnë në Tiranë, duke reaguar ndaj pamjeve të përplasjeve mes të rinjve dhe policisë.

Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, artisti ka shprehur shqetësimin për situatën në kryeqytet, duke dënuar dhunën ndaj protestuesve dhe duke kërkuar që zëri i studentëve të dëgjohet nga institucionet.
Është tmerr me i pa pamjet prej Tiranës. Të rinj që sulmohen prej atyre që duhet me i mbrojt
-shkroi Limani, duke e përmbledhur qëndrimin e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë:
Unë jom me studentët. Shkurt edhe shqip. Zëri i tyre duhet të ketë peshë që sot

Në reagimin e tij, këngëtari theksoi se kërkesat e studentëve nuk duhet të shpërfillen dhe se institucionet duhet të përpiqen të kuptojnë arsyet që i kanë nxjerrë të rinjtë në rrugë.
Na duhet me i ngu studentët, se qartazi ka pakënaqësi. Qartazi. Me kuptu pse kanë dalë, çka po i mundon e çka po kërkojnë
-u shpreh ai.

Limani nënvizoi se të rinjtë nuk duhet të konsiderohen vetëm si e ardhmja e vendit, por duhet të kenë mundësi të ndikojnë në vendimet që prekin jetën e tyre edhe në të tashmen.
Ata janë e ardhmja e këtij vendi, por zani i tyne duhet me pas peshë qysh sot. Nuk mjafton me ju thanë ‘ju jeni e ardhmja’, nëse kur flasin, s’ka kush i dëgjon
-theksoi këngëtari.

Yll Limani iu drejtua gjithashtu pjesëtarëve të Policisë, duke kujtuar përgjegjësinë që, sipas tij, duhet të shoqërojë uniformën dhe detyrën për të mbrojtur qytetarët.
Uniforma osht përgjegjësi. Qytetari duhet me u ni ma i sigurt kur e sheh policinë
-shkroi ai.
Këngëtari shtoi se pas çdo protestuesi qëndron një person me ëndrra, shqetësime dhe familje që e presin në shtëpi, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe kujdes gjatë menaxhimit të protestave.
Protestat në kryeqytetin shqiptar janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Studentët kanë shprehur pakënaqësi për problemet në arsim, korrupsionin dhe çështje të tjera që, sipas tyre, kërkojnë zgjidhje nga institucionet.
Reagimi i Yll Limanit i është bashkuar mesazheve të solidaritetit të shpërndara në rrjetet sociale, ndërsa artisti ka kërkuar që kërkesat e të rinjve të trajtohen me seriozitet dhe që qytetarët të ndihen të mbrojtur gjatë ushtrimit të së drejtës për të protestuar.


