Interneti është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë në Maqedoninë e Veriut. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, 93,7% e qytetarëve të moshës 15–74 vjeç kanë përdorur internetin, ndërsa 91,2% e familjeve kanë pasur qasje në internet nga shtëpia.
Të dhënat tregojnë se 81,2% e popullsisë e përdorin internetin disa herë në ditë, ndërsa po kjo përqindje ka blerë ose porositur produkte dhe shërbime online gjatë 12 muajve të fundit.
Aktiviteti më i përhapur është komunikimi përmes thirrjeve telefonike dhe videothirrjeve, me 93,5%, kryesisht përmes aplikacioneve WhatsApp, Viber, Messenger dhe platformave të ngjashme.
Ndërkohë, 88,4% e përdoruesve e shfrytëzojnë internetin për shkëmbimin e mesazheve.


