Liqeni i Ohrit sot do të pasurohet me 100 mijë ekzemplarë të troftës së Ohrit, peshq të vegjël me një peshë mesatare prej 4,2 gramësh, me çka do të përmbyllet procesi i ripopullimit të liqenit për këtë vit, njoftoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, gjatë vizitës në Institutin Hidrobiologjik në Ohër.
Ai vlerësoi se rezultatet e deritanishme në rimëkëmbjen e popullatës së troftës së Ohrit janë më shumë se të kënaqshme. Siç theksoi, gjatë muajve gusht dhe shtator, të gjitha zonat e peshkimit në liqen janë pasuruar me gjithsej 6,5 tonë peshq të rinj të kultivuar, që është 1,6 tonë më shumë se sasia prej 4,9 tonësh e planifikuar fillimisht.
Në liqen, këtë vit është hedhur edhe një grup i veçantë prej 100 mijë ekzemplarësh më të mëdhenj të troftës së Ohrit, nga riprodhimi i vitit të kaluar, me një peshë mesatare prej 16 gramësh. Sipas Serafimovskit, kjo është veçanërisht e rëndësishme për të kompensuar mungesën e ripopullimit gjatë periudhës 2019–2023, kur kishte pasur ndërprerje të riprodhimit artificial të troftës së Ohrit.
Për vazhdimin e aktiviteteve për rimëkëmbjen e popullatës, është nënshkruar marrëveshje me Institutin Hidrobiologjik për ciklin e ardhshëm të riprodhimit artificial dhe ripopullimit të liqenit me peshq, në vitin 2027, me 1.550.000 ekzemplarë të rinj të troftës së Ohrit.
Zbatimi i aktiviteteve dhe monitorimi i efekteve të tyre do të realizohen përmes Institutit Hidrobiologjik, me mbështetje institucionale nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.


