Arda Kurtulan është drejt një transferimi të rëndësishëm në Turqi?
Futbollisti me origjinë shqiptare, që po spikat me fanellën e Goztepes, ka përfunduar në radarët e Trabzonsporit, që po mendon ta afrojë në merkaton e janarit.
Sipas raportimeve të mediave turke, drejtuesit e klubit ku aktivizohet edhe Ernest Muçi e vlerësojnë Kurtulanin si një përforcim të rëndësishëm për krahun e djathtë.
Për këtë arsye, Trabzonspor po përgatit një ofertë që mund të përfshijë një shumë prej 7-8 milionë eurosh, si dhe kartonët e dy futbollistëve që nuk bëjnë pjesë në planet e klubit: Cihan Çanak dhe Umut Nayir.
Në moshën 23-vjeçare, Kurtulan po kalon një periudhë pozitive te Goztepe, ku ka treguar se mund të luajë si mbrojtës, ashtu edhe si mesfushor i djathtë. Në 38 ndeshje të zhvilluara me këtë skuadër gjatë dy sezoneve, ai ka regjistruar 5 gola dhe 3 asistime.
Përveç paraqitjeve në kampionat, emri i tij mbetet interesant edhe për futbollin shqiptar. Kurtulan ka qenë pjesë e Shqipërisë U-21, por ende nuk ka marrë një ftesë nga Kombëtarja A, pavarësisht se është përmendur disa herë si një alternativë e mundshme për kuqezinjtë.
Nëse tratativat konkretizohen, transferimi te Trabzonspor mund të përfaqësojë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa për klubin turk do të ishte një tjetër investim për të përforcuar skuadrën në vazhdim të sezonit.


