Një histori dashurie mes aktores së njohur italiane dhe princit 33 vite më të madh në moshë po tërheq vëmendjen e mediave italiane. Bëhet fjalë për Manuela Arcurin, 49 vjeçe, e cila sipas raportimeve të fundit mund të jetë drejt një hapi të rëndësishëm në jetën e saj sentimentale, vetëm pak muaj pas nisjes së kësaj romance. Sipas gazetares Selvaggia Lucarelli, në rrethin e ngushtë pranë aktores dhe princit Domenico Antonio Pallavicino, 82 vjeç, po qarkullojnë zëra për një martesë të mundshme që mund të zhvillohet në dhjetor, në Liguri. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga dy protagonistët.
Fotot e para të çiftit u publikuan nga revista italiane Chi, e cila i fotografoi gjatë një udhëtimi në Paris. Arcuri dhe Pallavicino shfaqen duke udhëtuar me avion privat, duke shijuar mëngjesin në hotelin luksoz Ritz dhe duke shëtitur në rrugët e kryeqytetit francez. Në disa prej imazheve, ata duken të afërt, ndërsa në një fotografi aktorja shihet duke i mbajtur dorën princit. Domenico Antonio Pallavicino i përket një prej familjeve të vjetra aristokrate italiane, të lidhura historikisht me qytetin e Gjenovës. Ai jeton në një pallat të shekullit XVI, në sheshin Fontane Marose, i njohur për koleksionin e pasur të veprave të artit dhe orendive historike. Titulli i tij princëror ka gjithashtu një referencë historike në dokumentacionin e Soprintendenza Archivistica per la Liguria, ku përmendet titulli i princit të Perandorisë së Shenjtë Romake.
Pallavicino është i njohur edhe për angazhimin në art dhe filantropi. Ai ka mbajtur më parë postin e konsullit të përgjithshëm të Principatës së Monakos në Gjenovë dhe ka qenë i përfshirë në aktivitete bamirësie, përfshirë një donacion prej 350 mijë eurosh për spitalin pediatrik Gaslini. Rrugët e tij dhe të Arcurit u kryqëzuan në vitin 2023, kur aktorja u bë imazhi promovues i Fondacionit Pallavicino, i krijuar për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë artistike të familjes. Ajo mori pjesë gjithashtu në aktivitete bamirësie, ndërsa në vitin 2026 ishte e pranishme në inaugurimin e fluturimit të parë të kompanisë ajrore Airidea, në të cilën Pallavicino ka një pjesëmarrje përmes kompanisë së tij.
Në atë periudhë, megjithatë, Manuela Arcuri ishte ende e martuar me Giovanni Di Gianfrancesco, me të cilin ka një djalë 12-vjeçar. Aktorja ka bërë të ditur se martesa e tyre kishte përfunduar me marrëveshje të përbashkët gjatë verës së vitit 2025, duke mohuar që një person i tretë të kishte ndikuar në ndarjen e tyre. Ndërkohë, diferenca e konsiderueshme e moshës ka nxitur edhe diskutime në televizionin italian. Gjatë emisionit La volta buona, komentet për çiftin u shoqëruan me batuta dhe mendime të ndryshme.


