Aktorja Keri Russell ka sqaruar arsyen pse partneri i saj prej shumë vitesh, Matthew Rhys, nuk e përmendi në fjalimet e tij gjatë ceremonisë së çmimeve Emmy 2026. Ajo zbuloi se ishte vetë ajo që i kërkoi aktorit të mos ndihej i detyruar ta falënderonte publikisht.

Gjatë një interviste në podcastin “Dear Chelsea”, Russell tregoi se Rhys ishte shumë nervoz para ceremonisë, veçanërisht për shkak të fjalimeve që duhej të mbante në rast se fitonte çmimet. Për ta lehtësuar, ajo vendosi t’i hiqte një shqetësim nga lista.
E pyeta disa ditë përpara se për çfarë ishte më shumë i shqetësuar. Ai më tha se ishte të fliste para publikut. I thashë: ‘Atëherë, më hiq mua nga lista. Nuk ke pse të më falënderosh. E di që më do’
-tregoi aktorja.

Rhys fitoi dy çmime Emmy për interpretimet e tij në serialet “The Beast in Me” dhe “Widow’s Bay”. Gjatë fjalimeve të pranimit, ai falënderoi kolegët dhe ekipet që kishin punuar me të, por mungesa e emrit të Russell tërhoqi vëmendjen e publikut dhe nxiti diskutime në rrjetet sociale.
Russell shpjegoi se të dy janë njerëz që ndihen në ankth në evente të tilla dhe se presioni për të mbajtur një fjalim të shkurtër, duke falënderuar personat e duhur, mund të jetë i madh. Ajo theksoi se nuk e kishte marrë personale vendimin e partnerit të saj.
Aktorja përmendi gjithashtu se Rhys ishte kritikuar edhe më parë për personat që kishte lënë pa përmendur në fjalimet e tij. Këtë herë, ajo donte që ai të ndihej më i qetë dhe të përqendrohej te momenti profesional, pa u shqetësuar për mënyrën se si do të interpretohej çdo fjalë.
Keri Russell dhe Matthew Rhys u njohën gjatë xhirimeve të serialit “The Americans” në vitin 2012 dhe nisën një lidhje që vazhdon prej më shumë se një dekade. Ata kanë një djalë së bashku, Sam, ndërsa Russell ka edhe dy fëmijë nga martesa e saj e mëparshme.
Me sqarimin e saj, Russell hodhi poshtë spekulimet për ndonjë problem në marrëdhënien e tyre, duke treguar se vendimi për të mos u përmendur në fjalimet e Emmy-t ishte marrë paraprakisht dhe me mirëkuptim të plotë.


