Dokumentari i David Beckham në Netflix duket se ka pasur ndikim edhe përtej ekranit, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme markës dhe aktiviteteve të tij tregtare.
Jamie Salter, partner biznesi i Beckham, tha se suksesi i dokumentarit të vitit 2023 ndihmoi në rritjen e ndjeshme të interesit ndaj projekteve dhe bizneseve të ish-futbollistit. Sipas tij, ekspozimi i krijuar nga seriali e forcoi më tej markën Beckham në tregun ndërkombëtar.

Dokumentari me katër pjesë, “Beckham”, trajtoi karrierën e tij në futboll, ngritjen te Manchester United, periudhën në Real Madrid dhe jetën personale me Victoria Beckham. Seriali rezultoi i suksesshëm në Netflix dhe u rendit mes produksioneve më të ndjekura të platformës.

Por rritja e biznesit të Beckham nuk lidhet vetëm me dokumentarin. Në vitin 2026, aktivitetet e tij tregtare përfituan edhe nga një numër i madh marrëveshjesh reklamuese gjatë Kupës së Botës.
Beckham u shfaq në rreth një duzinë fushatash për marka ndërkombëtare, përfshirë McDonald’s, Verizon, Bank of America, Lenovo dhe Lay’s.

Të dhënat financiare të DRJB Holdings tregojnë se të ardhurat e kompanisë u rritën në rreth 110.5 milionë dollarë, nga 92.3 milionë një vit më parë. Fitimi para taksave arriti në 65.7 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 46 për qind.
Beckham gjithashtu përfitoi personalisht nga rezultatet e kompanisë, duke marrë rreth 38.5 milionë paund në dividentë. Ai zotëron 45 për qind të biznesit përmes kompanisë së tij Footwork Productions, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga Authentic Brands Group.
Sipas Salter, suksesi i dokumentarëve të familjes Beckham ka treguar se përmbajtja mediatike mund të shërbejë si një mënyrë për të forcuar një markë dhe për të krijuar mundësi të reja biznesi. Pas suksesit të serialit të parë, Beckham pritet të rikthehet me një tjetër projekt për Netflix.


