Princi Harry ka folur hapur për një periudhë të vështirë të jetës së tij, duke treguar se përjetoi një episod depresiv pasi u zhvendos në Kanada me Meghan Markle dhe djalin e tyre, Archie.
Në një MasterClass të titulluar “Redefining Grief: Building Resilience Through Loss”, Harry tregoi se çifti u largua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2019 për të pasur hapësirë dhe për t’u larguar nga një situatë që ai e përshkroi si stresuese. Pas mbërritjes në Kanada, ai tha se përjetoi një rënie të fortë emocionale.
Brenda dy ose tre ditësh, përjetova këtë rënie të adrenalinës, diçka që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Ishte sikur të kisha nevojë për stresin dhe adrenalinën që truri im të funksiononte
-rrëfeu Harry.

Ai shtoi se për rreth dy javë u ndje në depresion dhe kishte vështirësi të funksiononte normalisht.
Gjatë bisedës me neuroshkencëtaren Dr. Mary-Frances O’Connor, Harry foli gjithashtu për humbjen e nënës së tij, Princeshës Diana, e cila vdiq kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Ai tha se për shumë vite e kishte lidhur dhimbjen me idenë se duhej të ishte i trishtuar për të dëshmuar se sa shumë i mungonte nëna.

Harry tregoi se kishte arritur deri aty sa të harronte të qeshurën e Dianës dhe se terapia e ndihmoi të përballej me emocionet që kishte mbajtur të shtypura për vite.
Një terapiste i sugjeroi të përdorte parfumin e nënës së tij, një përvojë që, sipas tij, ndihmoi të rikthente kujtime të mbyllura prej kohësh.
Ai foli edhe për marrëdhënien e tij me Meghan dhe dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet. Harry zbuloi se ka vendosur një rregull personal për të mos qëndruar më shumë se 10 ditë larg bashkëshortes dhe fëmijëve, pasi koha me familjen është një nga burimet kryesore të energjisë dhe lumturisë për të.
MasterClass-i u publikua më 8 tetor, pak para Ditës Botërore të Shëndetit Mendor. Në të, Harry dhe O’Connor trajtojnë ndikimin që humbja mund të ketë në jetën e një personi dhe mënyrat se si njerëzit mund të përballen me pikëllimin dhe të ndërtojnë qëndrueshmëri emocionale.


