Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje për lirimin e dy veteranëve të UÇK-së, të cilët, sipas tij, janë ndaluar gjatë protestave.
Në një reagim në Facebook, Haziri ka thënë se votimi i Ligjit për UÇK-në ishte një moment krenarie, por ka theksuar se ky moment mbetet i paplotë përderisa dy protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë larg familjeve të tyre.
Ai ka thënë se dy qytetarët, të cilët janë veteranë të UÇK-së, u ndaluan gjatë ditëve të protestës dhe se pjesëmarrja e tyre në protestë ishte shprehje e qëndrimit të tyre për historinë dhe vlerat që, sipas tij, i kanë mbrojtur.
“Nuk është as e drejtë dhe as njerëzore që ata të trajtohen me masa kaq të ashpra nga shteti i tyre, vetëm pse ngritën zërin për dinjitetin e kombit”.
Haziri u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që “të reflektojnë dhe t’i lirojnë sa më parë”, duke thënë se ata duhet të jenë pranë familjeve të tyre si qytetarë të lirë.


