Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë publike PDK-së, duke kërkuar që kjo parti të zotohet se do të sigurojë së paku gjysmën e votave të grupit të saj parlamentar për kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
Kurti tha se, nëse PDK-ja e jep këtë zotim dhe siguron pjesëmarrjen e të paktën gjysmës së deputetëve të saj në votimin për president, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do të procedojë me votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë.
“Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete. Nëse Partia Demokratike e Kosovës zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë”, deklaroi Kurti.
Ai kërkoi që PDK-ja ta bëjë këtë zotim publikisht, pasi nuk po pranon më takime.
Kurti tha se nga PDK-ja nuk po kërkohet domosdoshmërisht votë pro për Sejdiun, por që së paku gjysma e grupit parlamentar të marrë pjesë në seancë dhe të votojë, qoftë edhe kundër.
“Unë gjysmës së tyre po ia kërkoj votën kundër për profesor Bekim Sejdiun, që s’është i vendosur…Vetëm le të marrin pjesë në seancë”, tha Kurti.



