Miuccia Prada sjell në Javën e Modës në Paris një koleksion që bashkon sportiven me elegancën, duke kombinuar xhaketa klasike me pantallona sportive dhe bluza të shkurtra. Në prapaskenat e sfilatës së Miu Miu, të zhvilluar të dielën gjatë Javës së Modës në Paris, stilistja Miuccia Prada tha se këtë sezon ishte frymëzuar nga “veshjet reale” rrobat që njerëzit veshin çdo ditë kur dalin për të kryer punët e tyre, dhe jo vetëm ato që duken bukur në rrjetet sociale.
Realiteti i veshjes sot është kjo përzierje – sport, casual, normale, tha Prada. Sfidën ajo e përshkroi si një përpjekje për t’i bërë këto veshje “më interesante dhe më të pasura, duke bashkuar elemente sportive me sofistikimin.
Koleksioni nisi me një seri fundesh me kuadrate dhe pala të rregullta. Në pamjen e parë, fundi kombinohej me një xhaketë elegante me kuadrate, por në vend të këpucëve klasike, modelet mbanin atlete me ngjyra të ndezura. Në një tjetër kombinim, poshtë xhaketës shfaqej një crop top, ndërsa atletet zëvendësoheshin nga taka të larta. Më vonë, në pasarelë u shfaqën pantallona sportive, të cilat zakonisht lidhen me veshjet e shtëpisë apo kohën e lirë, por që këtë herë u kombinuan me triko elegante dhe xhaketa të qepura mirë.
Edhe veshjet sportive morën një trajtim luksoz. Pantalloncat e shkurtra sportive u stilizuan në mënyrë elegante, ndërsa reçipetat sportive u shndërruan në topa të ndritshëm, më shumë të përshtatshëm për një mbrëmje festive sesa për palestër. Disa u veshën më vete, ndërsa të tjera mbi bluza të ngushta prej materiali elastik.Në koleksion u përfshinë edhe xhinse të krijuara në bashkëpunim me Wrangler, të frymëzuara nga modelet vintage. Ato mbaheshin poshtë në ije dhe kishin lidhëse që kujtonin lidhëset e këpucëve, në vend të zinxhirëve apo rripave tradicionalë.

Prada e përshkroi këtë qasje si “dialogë jokonformistë që eksplorojnë një formë fërkimi dhe tensioni”. Pikërisht kjo përplasje mes stileve të ndryshme dhe mënyra se si Miu Miu merr veshjet e zakonshme dhe i kthen në diçka të pazakontë, është një nga arsyet e suksesit të markës. E themeluar në vitin 1993 si një lloj motre më e re e Prada-s, Miu Miu emri i së cilës vjen nga pseudonimi i fëmijërisë së Miuccia Prada është kthyer në një nga markat më të kërkuara të modës luksoze. Sipas indeksit të Lyst, i cili rendit markat bazuar në kërkesën e konsumatorëve, Miu Miu aktualisht renditet e dyta, pas Chanel. Në korrik, shitjet e saj u rritën me 3%, duke kaluar 700 milionë euro.
Një pjesë e suksesit të markës lidhet me atë që Miu Miu e quan “vajzat Miu Miu” një profil konsumatori që preferon një stil paksa të çuditshëm, të çrregullt dhe njëkohësisht provokues. Ky grup nuk kufizohet vetëm nga mosha apo gjinia. Në sfilatën e së dielës morën pjesë edhe aktorë të njohur, mes tyre Emma Corrin, e cila u shfaq me të brendshme të bardha dhe një xhaketë prej lëkure krokodili, Olivia Colman, me një kostum prej kamoshi të konsumuar, dhe Jamie Bell, me pantallona me kuadrate të ulëta në ije dhe një jelek me dy ngjyra.

Miu Miu po e zgjeron gjithashtu lidhjen me sportin përtej pasarelave. Në fillim të këtij viti, marka bashkëpunoi me New Balance për një koleksion veshjesh sportive të krijuar për tenisten Coco Gauff, e cila e veshi për herë të parë gjatë Italian Open në maj dhe më pas në Wimbledon. Për markën, sporti është pjesë e një strategjie më të gjerë për të ruajtur vëmendjen dhe interesin kulturor rreth Miu Miu. Marka ka krijuar gjithashtu një klub letrar, ku janë diskutuar vepra të autoreve si Simone de Beauvoir dhe Ama Ata Aidoo, ndërsa prej 15 vitesh financon filma të drejtuar nga gra. Në thelb, mesazhi i koleksionit të ri është i qartë: Miu Miu nuk po përpiqet t’i largojë rrobat e përditshme nga rruga, por t’i sjellë ato në botën e luksit duke i përzier me elegancë, sport dhe një dozë rebelimi.


