Ernest Muçi po përjeton një moment të veçantë me Kombëtaren shqiptare, duke marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Rolando Maran.
Sulmuesi i Trabzonspor ka nisur si titullar në tri ndeshjet e fundit të Shqipërisë, ndaj Bjellorusisë, San Marinos dhe Finlandës. Kjo është një vazhdimësi që Muçi nuk e kishte pasur më parë me fanellën kuqezi. Të dhënat e ndeshjeve të tij konfirmojnë se ai ishte në formacionin bazë në të trija sfidat e Nations League.
Madje, në debutimin e epokës Maran, Muçi la gjurmën e tij menjëherë, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë.
Më pas, ai e nisi nga minuta e parë edhe në transfertën ndaj San Marinos dhe në sfidën e fundit kundër Finlandës. Në këtë të fundit, Muçi u aktivizua si sulmues, ndërsa Shqipëria pësoi humbjen e parë në këtë edicion.
Besimi i Maranit është një sinjal i qartë për 25-vjeçarin, i cili po kërkon të konsolidojë pozitat e tij në Kombëtare. Pas një periudhe ku hapësirat me fanellën kuqezi kanë qenë të kufizuara, Muçi tashmë duket se është kthyer në një nga alternativat kryesore të trajnerit italian.
Tre ndeshje si titullar dhe një gol. Muçi po kërkon të bëjë të vetën fanellën kuqezi.


