Një fustan që nuk ka pse të mbetet me të njëjtën ngjyrë gjatë gjithë ditës po e afron modën edhe më shumë me teknologjinë. Marka japoneze ANREALAGE ka prezantuar në koleksionin SS27 veshje të mbuluara me panele e-ink, të cilat mund të ndryshojnë pamjen dhe motivet e tyre elektronikisht. Disa prej krijimeve përdorin deri në 2,000 panele individuale.
Teknologjia e-ink njihet kryesisht nga pajisjet e leximit elektronik, ku ekrani mund të shfaqë imazhe duke konsumuar shumë pak energji. Në koleksionin e ANREALAGE, e njëjta logjikë është zhvendosur mbi trup. Panelet krijojnë një sipërfaqe që mund të transformohet vizualisht, duke e bërë veshjen të sillet më shumë si një “lëkurë” që ndryshon sesa si një copë tekstili statike.
Koleksioni eksperimenton gjithashtu me elemente të printuara në 3D dhe teknika të tjera dixhitale. Rezultati ngre një pyetje interesante për të ardhmen e garderobës / nëse sipërfaqja e veshjes mund të ndryshojë, a do të kemi ende nevojë për disa versione të së njëjtës veshje vetëm për të ndryshuar ngjyrën apo printin?
Sigurisht, jemi ende larg momentit kur një fustan i tillë do të jetë një produkt i zakonshëm në garderobë. Por moda eksperimentale shpesh funksionon pikërisht kështu / teknologjia shfaqet fillimisht në runway si diçka ekstreme dhe më pas versione shumë më praktike të saj fillojnë të hyjnë në produkte të përditshme.



