Sylvester Stallone ka folur hapur për martesën e tij 29-vjeçare me Jennifer Flavin, duke reflektuar mbi gabimet që ka bërë gjatë marrëdhënies dhe mbi mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i tij për dashurinë.
Gjatë një bisede me gazetaren Tracy Smith për “CBS Sunday Morning”, aktori 80-vjeçar u pyet se cilën situatë nga jeta e tij do të dëshironte ta përjetonte ndryshe. Përgjigjja e tij lidhej me martesën me Flavin.
Do të doja të isha martuar me gruan time rreth tetë vjet më herët. U solla si një idiot i plotë, duke i zvarritur gjërat. Ende po mësoj për marrëdhëniet, jam shumë i keq në këtë. Më vjen keq, zemër
-tha Stallone.
Çifti u njoh në vitin 1988 dhe, pas disa vitesh lidhjeje, u martua në vitin 1997. Ata kanë tre vajza së bashku, Sophia, Sistine dhe Scarlet.
Stallone pranoi gjithashtu se marrëdhënia me Flavin e ka ndihmuar të kuptojë më mirë se çfarë do të thotë të duash dhe të ndërtosh një marrëdhënie.
Është një zakon, të mësosh të duash është një zakon i mrekullueshëm. Me gruan time, më në fund ia dolëm. Na u deshën rreth 60 vjet, por ia dolëm
-u shpreh ai.
Aktori foli edhe për ndikimin që mund të kenë përvojat e fëmijërisë në mënyrën se si një person ndërton marrëdhënie në moshë madhore. Ai tha se mungesa e dashurisë që kishte përjetuar gjatë fëmijërisë mund të ketë ndikuar në mënyrën se si sillej në marrëdhënie.
Ka shumë njerëz që kanë këto probleme, por nuk është faji juaj. Varet thjesht se si zhvilloheni. Duhet të kaloni jetën me këto probleme dhe ato nuk zhduken
-tha Stallone.
Martesa e tyre kaloi një periudhë të vështirë në vitin 2022, kur Flavin paraqiti kërkesë për divorc. Megjithatë, çifti u pajtua pak kohë më vonë dhe vazhdoi marrëdhënien.
Pas pajtimit, Stallone ka pranuar se për një periudhë të gjatë kishte vendosur karrierën përpara familjes, duke e cilësuar këtë si një gabim të rëndësishëm. Në vitet e fundit, ai ka folur më hapur për rëndësinë e familjes dhe për rolin që Jennifer Flavin ka pasur në jetën e tij.



