Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në UEFA Nations League, pas fitores 0-3 ndaj San Marinos në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e 29 shtatorit.
Skuadra kuqezi zhvilloi një seancë stërvitore në stadiumin “Dino Manuzzi” të Cesena-s, me programin e punës të përshtatur sipas minutave të aktivizimit të lojtarëve.
Futbollistët që u aktivizuan ndaj San Marinos kryen një seancë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër e grupit ndoqi një program të plotë stërvitor, me ushtrime fizike dhe tekniko-taktike, si edhe punë me skema dhe situata të ndryshme të lojës.
Në stërvitje u bashkua edhe Klisman Cake, i rikuperuar në kohë dhe është gati për ndeshjen e radhës.
Sot në orën 11:00, Kombëtarja zhvillon seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Dino Manuzzi” të Cesena-s. Në përfundim, ekipi do të udhëtojë drejt Finlandës për të vijuar përgatitjet për sfidën e radhës.
Shqipëria përballet me Finlandën të shtunën, më 3 tetor, në orën 15:00, në kuadër të UEFA Nations League. Sfida do të transmetohet live në Digitalb.



