Më 1 tetor, 29 vjet pas protestës studentore të vitit 1997, Prishtina sot bëhet sërish pikënisje e një proteste masive.
Në sheshin “Skënderbeu”, në orën 16:00, mbahet protesta e radhës “Jo në emrin tim”, e organizuar nga platforma qytetare “Liria Ka Emër”, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në konferencën për media të mbajtur një ditë para protestës, përfaqësuesi i “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka thënë se aktgjykimi nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.
“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, ka deklaruar Tasholli.
Ai ka kërkuar që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë dhe ka kundërshtuar, siç ka thënë, çdo qasje selektive ndaj së kaluarës së Kosovës.
Tasholli ka kërkuar gjithashtu veprim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Kuvendi për shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër e platformës, Arbnora Zogiani, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestë, ndërsa ka bërë të ditur se për pjesëmarrësit është organizuar transport nga të gjitha qytetet e Kosovës.
Organizatorët kanë thënë se protesta synon të shprehë kundërshtimin ndaj aktgjykimit dhe të kërkojë veprime konkrete institucionale në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Zogiani ka veçuar edhe mobilizimin e diasporës shqiptare, duke thënë se protestat dhe aktivitetet kundër aktgjykimit janë zhvilluar në vende të ndryshme të Evropës, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.
Ajo ka njoftuar se më 10 tetor në Bruksel do të mbahet edhe një protestë e organizuar nga diaspora shqiptare.



