Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka thënë se për organizimin e protestës më 1 tetor, janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet, përfshirë organizimin e transportit nga komunat e Kosovës dhe parkingjet, si dhe koordinimin me Policinë e Kosovës.
Protesta do të mbahet më 1 tetor, duke filluar nga ora 16:00 në Prishtinë, ndërsa motoja e saj është “Jo në emrin tim”.
Në emisionin FIVE, Tasholli ka thënë se data 1 tetor është zgjedhur edhe për shkak të simbolikës së protestës studentore të 1 tetorit 1997, duke theksuar rolin e studentëve në proceset shoqërore dhe politike në Kosovë.
“Ajo është simbolika e fuqishme që tregon që studentët, të rinjtë dhe të rejat gjithmonë kanë qenë ose në krye të proceseve, ose kanë qenë shumë afër tyre. Mos harrojmë, ajo pjesë e njerëzve që ndodhen në Hagë janë ata që kanë dalë prej Universitetit të Prishtinës dhe simbolika është shumë e fuqishme”, ka deklaruar Tasholli.
“Jo vetëm studentët, janë edhe veteranët aty, janë krejt qytetarët e Kosovës, është familja dhe qytetari i Kosovës që nesër bashkë do ta përçojmë mesazhin”, ka thënë ai.


