Kafenetë ku mund të pish diçka ndërsa përkëdhel një mace janë kthyer prej kohësh në një atraksion të njohur japonez. Por koncepti është zgjeruar shumë përtej maceve. Në Japoni ekzistojnë tashmë ambiente ku vizitorët mund të afrohen me bufa, vidra, marmota dhe specie të tjera ekzotike. Tani qeveria japoneze ka nisur për herë të parë një studim kombëtar të këtij sektori.
Sipas Reuters:
Studimi nisi këtë muaj dhe do të shqyrtojë sa ambiente të tilla ekzistojnë, çfarë kafshësh mbajnë, kushtet në të cilat jetojnë dhe mënyrën se si vizitorët ndërveprojnë me to. Në qendër janë shqetësimet për mirëqenien e kafshëve, higjienën dhe rreziqet e mundshme për shëndetin publik.
Animal cafés janë bërë veçanërisht të njohura edhe mes turistëve të huaj. Ideja për të parë nga afër apo për të prekur një kafshë që normalisht do ta shihje vetëm në natyrë ose në një kopsht zoologjik krijon një eksperiencë shumë tërheqëse për rrjetet sociale. Por pikërisht kjo afërsi po ngre pyetje rreth stresit për kafshët dhe mënyrës se si menaxhohen specie që kanë nevoja shumë të ndryshme nga kafshët shtëpiake.
Një raport i WWF Japan i cituar në raportimet për këtë çështje ka ngritur më parë shqetësime edhe për praninë e specieve të kërcënuara në disa prej këtyre ambienteve. Studimi i ri mund t’u japë autoriteteve një pamje më të plotë të industrisë përpara se të vendosin nëse nevojiten rregulla të tjera.



