Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të përfundojnë opinionet ligjore dhe vlerësimi financiar lidhur me iniciativën ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se iniciativa i është drejtuar Zyrës Ligjore në Kryeministri, e cila ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave.
“Tash kemi një iniciativë ligjore nga Grupi Parlamentar i PDK-së kjo është cështje e Kuvendit të Kosovës që i është drejtuar zyrës ligjore për opinion në Kryeministri, tash Zyra Ligjore ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë gjithashtu edhe nga deparamenti për buxhet në Ministrinë e Financave – kjo është procedura e rregullt qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore prej informimeve që kam brenda kësaj jave do të kemi përgjigjen edhe si mendim të Zyrës Ligjore të MD-së gjithashtu edhe vlerësimin financiar dhe menjëherë do i japim përgjigjen Kuvendit dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, u shpreh Kurti.
Kurti foli edhe për komunikimin me liderët opozitarë, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së, lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Kurti përmendi edhe deklaratën e miratuar të hënën në Kuvend me 99 vota pro, përmes së cilës, sipas tij, është shprehur shqetësimi për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas tij, në këtë proces duhet të përfshihen ekspertë juridikë për të kontribuar në përgatitjen e procesit të Apelit.
“Jam në komunikim të drejtëpërdrejt me dy liderët e partive opozitare, nuk kemi ndërmjetës, me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, është një vendim për tu përdnërshur ai i së hënës kur me 99 vota për u miratua deklarata për aktgjykimin e Dhomave të Specialuzaura në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Aty kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë më aktgjykimin e padrejtë në shkallë të parë dhe zotimin tonë për strategji të përbashkët shtetërore drejtë Apelit kur duhet të dalin triumfues – është e rëndësishme ti mbledhim energjitë dhe ‘kokat’ e fushës së caktuar dhe kjo është përgjithësisht ekzpertize juridike që në Apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfoi drejtësia”, u shpreh Kurti.



