Bulevardi “Cvetan Dimov” në Çair pritet të hyjë në procedurë tenderimi deri në fund të këtij viti, bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili tha se aktualisht po punohet për përfundimin e dokumentacionit të projektit, i cili më pas do t’u prezantohet edhe qytetarëve.
“Aty besoj se do të kemi një intensitet të fuqishëm, siç kemi në rrugën Brigada kosovaro-maqedonase, e cila është rrugë paralele me Cvetan Dimovin. Atje, nëse keni mundësi ju mediat, këto ditë zyrtarisht do të dalim në terren me kolegun Mexhiti. Atje kemi një lëvizje serioze, zgjerimi i trasesë ka filluar, ka filluar një ndërtim serioz i atij projekti kapital. Dhe nëse nuk e kam premtuar në programin tim parazgjedhor, kështu që pres të kthehem te “Cvetan Dimovi”, ta përfundojmë dokumentacionin e projektit, do ta prezantojmë këtë në publik, që të shihet”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit
I pyetur edhe për kalimin për këmbësorët në afërsi të Bit Pazarit, Gjorgjievski deklaroi se Qyteti i Shkupit është duke përgatitur një projekt në bashkëpunim me SPB Shkup dhe se së shpejti priten masa konkrete.
“Projekti nga sektori i komunikacionit i Qytetit të Shkupit po përgatitet dhe, në bashkëpunim me SPB Shkup, dhe së shpejti do të ketë veprime”, theksoi Gjorgjievski.
Përndryshe, është e mbyllur ura që përdorej për të kaluar qytetarët, ndërsa vendkalimi tjetër është rreth 300 metra më tej.
Sa i përket bulevardit “Cvetan Dimov”, projekti parashihet të realizohet në segmentin nga kryqëzimi me “Nikolla Karevin” deri te kryqëzimi me “Xhon Kenedi”, me vlerë 150 milionë denarë dhe afat realizimi 2026-2028. Gjatë kësaj periudhe duhet të zgjidhen disa çështje: të përpunohet projekti, të kryhet shpronësimi i objekteve, të ruhen drunjtë, si dhe të planifikohet gjelbërimi qendror.

