Taika Waititi ka folur për albumin e ri të bashkëshortes së tij, Rita Ora, duke zbuluar se ka dëgjuar një pjesë të madhe të materialit dhe se projekti sjell një drejtim të ndryshëm muzikor për këngëtaren.

Regjisori dhe aktori u shpreh për albumin gjatë një eventi në Londër, ku foli edhe për bashkëpunimin me Ritën në videoklipin e këngës së saj të fundit, “All Natural”.
Ky album i ri është i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar një pjesë të madhe të tij. Është një ndryshim nga ajo që ajo njihet kryesisht për të bërë. Ka një tingull ndryshe
-tha Waititi.

Albumi do të jetë projekti i katërt në studio i Rita Orës dhe vjen pas “You & I”, të publikuar në vitin 2023. Këngëtarja ka nisur tashmë një kapitull të ri muzikor me këngën “All Natural”, e cila u publikua në shtator.

Rita ka treguar më herët se puna për albumin e ri ka nisur me një qasje më të fokusuar te identiteti i saj artistik dhe se dëshiron që projekti të ketë një karakter më personal dhe të dallueshëm.
Në muajt e fundit, ajo ka qenë e angazhuar edhe me projekte të tjera, përfshirë muzikën, televizionin dhe kinemanë. Publikimi i “All Natural” shënon rikthimin e saj gradual në qendër të aktiviteteve muzikore, ndërsa albumi i ri pritet të zgjerojë këtë fazë të karrierës.

Waititi ka qenë gjithashtu pjesë e procesit kreativ të projektit. Ai ka drejtuar videoklipin e “All Natural”, duke vijuar bashkëpunimin me Ritën edhe në projekte të mëparshme muzikore.
Duke folur për punën së bashku, regjisori e ka përshkruar bashkëpunimin me bashkëshorten e tij si diçka të natyrshme, pasi të dy janë pjesë e industrive krijuese, edhe pse në fusha të ndryshme.

Albumi i ri i Rita Orës pritet të jetë një prej projekteve kryesore të saj muzikore në periudhën e ardhshme, ndërsa detajet e plota për titullin dhe listën e këngëve ende nuk janë bërë publike.


