E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, i cili pritet ta përfundojë mandatin në krye të misionit muajin e ardhshëm.
Takimi është zhvilluar dje ndërsa sipas Ambasadës amerikane në Prishtinë, gjatë bisedës është diskutuar për rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Prattipati e ka falënderuar Ulutashin për udhëheqjen e misionit të NATO-s dhe për angazhimin e tij në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua dje me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, ndërsa ai përgatitet të përfundojë mandatin e tij muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.


