Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar në “Debat Plus” deklarimin e ambasadorit britanik Jonathan Hargreaves për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo ka thënë se do të ishte “jashtëzakonisht shqetësuese” nëse qëndrimi i ambasadorit është edhe qëndrim zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar.
“Nëse qëndrim që ambasadori e ka prezantuar është faktikisht i Mbretërisë së Bashkuar, e që në kushte normale një ambasador është fjala e shtetit që përfaqëson. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese. Tregon që ambasadori nuk e ka përcjell as procesin e nuk e ka dëgjuar as arsyet pse janë dënuar krerët e UCK-së… është fatkeqësi nëse qëndrimi i njëjtë, të cilin e prezanton ambasadori sonte – që nuk është i drejtë, është qëndrim i Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar Musliu-Shoshi në Debat Plus.
Hargreaves ka deklaruar se dënimet kanë të bëjnë me krime individuale ndaj viktimave dhe nuk përbëjnë gjykim mbi shtetësinë apo sovranitetin e Kosovës. Qeveria britanike ka shprehur të njëjtin qëndrim në deklaratën e saj të 16 shtatorit.


