Kapiteni i Bjellorusisë, Zakhar Volkov, ka tentuar të justifikojë humbjen 2-0 ndaj Shqipërisë në startin e Ligës së Kombeve, duke theksuar se skuadra e tij po bënte një paraqitje të mirë derisa penalltia në favor të kuqezinjve prishi gjithçka.
Sipas mbrojtësit, ai moment i theu psikologjikisht, çka solli edhe pësimin e një goli të dytë “absurd” në sekondat e fundit të pjesës së parë. Përtej analizës teknike, Volkov ka zbuluar edhe prapaskenat e një debati të nxehtë me arbitrin e ndeshjes si dhe ka komentuar presionin e jashtëzakonshëm të tifozërisë shqiptare në shkallët e stadiumit.
Për debatin me arbitrin në fund të pjesës së parë: “Për asgjë konkrete në fakt. Unë as anglisht nuk di mirë. Kështu që, thjesht e shava pak. Sipas mendimit tim, ai mund të kishte vërshëllyer disa faulle edhe në favorin tonë.”
Për presionin e tifozëve shqiptarë: “Jo, nuk na ndikoi për keq, përkundrazi, është kënaqësi të luash në transfertë në një atmosferë të tillë. Unë vetëm e shijova. Për ndeshje të tilla punon dhe stërvitesh çdo ditë. Është një adrenalinë e vërtetë. Fatkeqësisht, ne nuk mund të luajmë në shtëpinë tonë. Besoj se edhe ne do të kishim mbledhur shumë tifozë dhe mbase rezultati do të ishte ndryshe. Është gjithmonë më mirë të luash në shtëpi.”


