Olivia Rodrigo ka nisur turneun e saj të ri “The Unraveled Tour” me një spektakël të veçantë, ku skena u shndërrua në një peizazh të mbushur me lule dhe elemente të frymëzuara nga natyra.

Këngëtarja performoi të premten në mbrëmje në PeoplesBank Arena në Hartford, Connecticut, në koncertin e parë të turneut, duke sjellë një shfaqje rreth dyorëshe për fansat.
Pamja e skenës ishte një nga elementet që tërhoqi më shumë vëmendjen. Rodrigo u shfaq në një ambient të mbuluar me lule të egra, ndërsa skenografia ndryshonte në varësi të stinës që përfaqësonte secila pjesë e koncertit.

Spektakli u konceptua rreth katër stinëve: pranverës, verës, vjeshtës dhe dimrit. Secila prej tyre kishte atmosferën dhe repertorin e saj, duke krijuar një rrëfim vizual përgjatë gjithë performancës.
Rodrigo e nisi koncertin me këngët “drop dead” dhe “u + me = <3”, ndërsa më pas solli disa prej hiteve të saj, përfshirë “good 4 u”, “deja vu”, “vampire” dhe “drivers license”.

Gjatë mbrëmjes, artistja ndryshoi disa herë skenografinë dhe mënyrën e performancës, duke kaluar nga kitara elektrike te pianoja dhe duke iu afruar edhe fansave pranë barrierave
Koncerti përfshiu këngë nga albumet e saj “SOUR” dhe “GUTS”, si edhe materialet më të reja nga albumi “you seem pretty sad for a girl so in love”.
Turneu i ri vjen pas publikimit të albumit të tretë të Rodrigo-s në qershor dhe do të përfshijë dhjetëra koncerte në Amerikën e Veriut, përpara se këngëtarja të vijojë me datat evropiane në vitin 2027.

Pas koncertit të parë, Rodrigo ka planifikuar edhe një tjetër performancë në Hartford, ndërsa më pas do të udhëtojë në qytete të ndryshme amerikane dhe kanadeze.
Me skenografinë e saj të frymëzuar nga natyra, mijëra lulet dhe konceptin e katër stinëve, Olivia Rodrigo e nisi turneun e ri me një spektakël që ndërthur muzikën, teatralitetin dhe një atmosferë përrallore.


