Skandali i certifikatave të rreme të vaksinimit trondit sërish Kombëtaren e Zvicrës, teksa pas Granit Xhakës, një tjetër emër i madh është përfshirë në të njëjtën vorbull telashe.
Bëhet fjalë për sulmuesin e njohur Breel Embolo, i cili është vënë në qendër të vëmendjes dhe është larguar/pezulluar nga grumbullimi i Zvicrës.
Embolo pritet të humbasë ndeshjet e radhës të ekipit kombëtar në Ligën e Kombeve, pasi mësohet se sulmuesi është penalizuar dhe gjobitur tashmë nga gjykatat zvicerane për përdorim të dokumenteve false (falsifikim të certifikatës së Covidit). Ky zhvillim vjen menjëherë pas bujës që bëri pranimi i fajit dhe largimi i kapitenit Granit Xhaka për të njëjtën arsye, duke shkaktuar një goditje të rëndë sportive dhe imazhi për Federatën Zvicerane të Futbollit.
Granit Xhaka në ditët e fundit ka qenë në vorbullën e polemikave pas hetimeve ndaj tij në lidhje me çertifikatën e vaksinimit ndaj Covid 19. Mesfushori pranoi se kishte blerë një çertifikatë të tillë dhe pas një akordi me Federatën Zvicerane u vendos që ai të qëndronte jashtë skuadre në ndeshjet e Nations League.
Megjithatë ka nga ata që i dalin në mbrojtje kapitenit të skuadrës helvete siç është rasti i ish futbollistit të kësaj skuadre Benjamin Huggel.
Ky i fundit në një intervistë për “Neue Zürcher Zeitung” deklaroi se Granit Xhaka duhet të vazhdojë të jetë ende kapiten i kombëtares zvicerane, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.
‘Nëse nuk ka pasoja të tjera juridiko-sportive dhe çështja trajtohet ligjërisht si e mbyllur në planin penal, unë them krejt qartë: Po-tha teksa iu përgjigj pyetjes nëse Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit- Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik. Nëse trajneri kombëtar Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë dhe të hapur, arrijnë në përfundimin se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiteni i tyre, unë nuk shoh asgjë që mund ta pengojë këtë’ .
Huggel shtoi se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të lidhet me mënyrën se si Xhaka sillet në fushën e lojës.
‘Për mua, një certifikatë e falsifikuar e Covidit nuk do të ishte në asnjë mënyrë arsye për të mos i besuar më si kapiten në fushë. Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë-tha ai.


