Teksa Parlamenti pritet të nisë punimet për seancën plenare, protestuesit janë pozicionuar para godinës së Kuvendit, në vijim të protestës kundër qeverisë. Situata aktualisht është e qetë, ndërsa pritet që pas përfundimit të seancës veprimet e protestuesve të intensifikohen.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra efektivë nga disa struktura, me qëllim që punimet e Kuvendit të zhvillohen pa incidente dhe të shmangen përplasjet mes protestuesve dhe deputetëve.
Sipas informacioneve paraprake, dy persona janë shoqëruar pas përplasjeve verbale me efektivët. Ndërkohë, forcat e rendit po monitorojnë situatën.
Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të Kuvendit, duke kërkuar përfshirjen e një debati parlamentar me Kryeministrin Edi Rama për situatën në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Sipas kërkesës së opozitës, debati synon të trajtojë situatën në SHISH dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi institucionin. Ndaj Vlora Hysenit, ish-kreu i SHISH-it, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.


