Granit Xhaka nuk do të mund të luajë me Zvicrën në Ligën e Kombeve. Shkak janë bërë hetimet në Zvicër, pasi akuzohet se ka falsifikuar certifikatën për vaksinën kundër COVID-19.
Ndryshe nga përfaqësuesi i tij, Xhaka ka pranuar akuzën. Dhe për këtë shprehet se i vjen keq, ndërsa do të bashkëpunojë me autoritetet.
Deklarata e Granit Xhakës:
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë arsye, dua të shprehem personalisht.
Në lidhje me vaksinimin kundër Covid-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i ndikuar nga frika dhe pasiguria.
Në këtë gjendje të trazuar emocionale, unë sigurova një vërtetim vaksinimi, në vend që të sqaroja pyetjet e mia të hapura në rrugën e parashikuar.
Sot e kuptoj qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte një gabim. Më vjen keq për këtë.
Unë marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm për zbardhjen e plotë të fakteve dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet përgjegjëse.
Granit Xhaka”.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Blick”, hetimi lidhet me certifikata vaksinimi që dyshohet se janë lëshuar nga një mjeke në Lucernë. Zyra e saj ishte kontrolluar nga policia në vitin 2023, ndërsa gjatë operacionit ishin sekuestruar prova. Sipas hetuesve, disa pacientë dyshohet se kishin marrë certifikata të falsifikuara prej saj.
Zëdhënësi i Prokurorisë Publike të Lucernës, Simon Kopp, konfirmoi për “Blick” se ndaj Xhakës dhe mjekes janë hapur procedura penale.
“Qëllimi është të përcaktohet nëse janë kryer vepra penale në lidhje me marrjen e mundshme mashtruese të një certifikate të rreme dhe/ose falsifikimin e dokumenteve”, deklaroi Kopp.
Çështja lidhet me historinë e vaksinimit të Xhakës gjatë pandemisë. Më 1 shtator 2021, futbollisti rezultoi pozitiv me koronavirus. Në atë moment, ai nuk ishte vaksinuar dhe nuk kishte kaluar më parë COVID-19. Infektimi e detyroi të mungonte në një ndeshje miqësore të Zvicrës ndaj Greqisë, si dhe në një tjetër takim.
Më vonë, Xhaka deklaroi publikisht se ishte vaksinuar kundër COVID-19. Pikërisht kjo është një nga çështjet që po hetohet tani nga autoritetet zvicerane: nëse vaksinimet kanë ndodhur realisht apo nëse për të është lëshuar vetëm një certifikatë. Megjithatë, mbrojtja e futbollistit mohon se dokumentet janë të falsifikuara.


