Angelina Jolie ka shitur rezidencën e saj historike në Los Angeles për 24.75 milionë dollarë, duke i dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm të jetës së saj në qytetin amerikan.
Aktorja e kishte nxjerrë pronën në shitje në maj, me një çmim fillestar prej 29.85 milionë dollarësh. Ajo e kishte blerë rezidencën në vitin 2017 për rreth 24.5 milionë dollarë, pak kohë pas ndarjes nga Brad Pitt.
Prona ndodhet në zonën ekskluzive të Los Feliz dhe dikur ishte në pronësi të regjisorit të njohur të Hollywood-it, Cecil B. DeMille. Rezidenca kryesore, e ndërtuar në vitin 1913, ka gjashtë dhoma gjumi dhe dhjetë banjo, ndërsa kompleksi shtrihet në rreth dy akra tokë.
Pasuria përfshin gjithashtu një shtëpi për mysafirë me studio dhe hyrje private, një pishinë, një shtëpi pranë pishinës, palestër, dhomë çaji, bibliotekë, bodrum vere dhe një garazh të veçantë me hapësirë sigurie. Nga prona mund të shihen Hollywood Hills, tabela e famshme e Hollywood-it dhe Observatori Griffith.
Shitja e shtëpisë vjen në një moment kur Jolie po përgatitet të kalojë më pak kohë në Los Angeles.
Në një intervistë të mëparshme, aktorja kishte treguar se dëshironte të largohej nga qyteti sapo fëmijët e saj më të vegjël të bëheshin 18 vjeç. Binjakët Knox dhe Vivienne mbushën 18 vjeç në korrik të këtij viti.
Jam rritur në këtë qytet. Jam këtu sepse duhet të jem këtu për shkak të një divorci, por sapo të mbushin 18 vjeç, do të jem në gjendje të largohem
-kishte deklaruar Jolie.
Ajo kishte shpjeguar gjithashtu se dëshironte t’u siguronte fëmijëve privatësi, qetësi dhe siguri, ndërsa kishte lënë të kuptohej se pas largimit nga Los Angeles do të kalonte një pjesë të konsiderueshme të kohës në Kamboxhia dhe do të udhëtonte për të vizituar familjarët në vende të ndryshme.
Në një intervistë tjetër të fundit, Jolie ka folur për mënyrën se si e imagjinon jetën pas largimit nga Los Angeles. Në vend që të vendoset menjëherë në një qytet tjetër, ajo ka thënë se dëshiron të jetojë për një periudhë më nomade.
Unë vërtet nuk kam ndërmend të kem një bazë
-ka thënë ajo.
Do të doja të kisha një shtëpi për familjen time, një vend ku të jenë fotografitë e familjes dhe gjërat e nënës, dhe më pas dua të jem pak nomade për një periudhë.
Kamboxhia pritet të mbetet një nga vendet më të rëndësishme për të. Jolie ka një shtëpi atje dhe vazhdon të jetë e angazhuar me aktivitetet e saj humanitare përmes fondacionit që mban emrin e djalit të saj, Maddox.
Ajo po planifikon gjithashtu të zgjerojë aktivitetet ndërkombëtare të “Atelier Jolie”, projektin e saj krijues të themeluar në New York.
Jolie u zhvendos në rezidencën e Los Feliz në vitin 2017, rreth një vit pasi paraqiti kërkesën për divorc nga Brad Pitt. Për vite me radhë, kjo shtëpi ishte baza e saj dhe e gjashtë fëmijëve të saj.
Tashmë, me fëmijët e rritur dhe pronën e shitur, aktorja po hap një kapitull të ri të jetës së saj, i cili duket se do të jetë më pak i lidhur me Los Angeles dhe më shumë i fokusuar te udhëtimet, familja dhe projektet e saj ndërkombëtare.


