Komisioni profesional për rastin e lehonës nga Strumica konstatoi se nuk ka pasur gabim mjekësor. Sipas Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës Profesionale, i përbërë nga pesë ekspertë – gjinekolog, anesteziolog, neurolog, neurokirurg dhe radiolog – konstatoi unanimisht se gjendja neurologjike e pacientes nuk ishte pasojë e anestezisë spinale dhe as e ndonjë gabimi mjekësor.
Dy nga ekspertët ishin nga Serbia dhe Sllovenia. Konstatimi u dha pas mbikëqyrjes së trajtimit të lehonës në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe Klinikën e Neurologjisë në Shkup.
“Pacientja u bart për shkak të gjendjes klinike e cila bën pjesë në grupin e shtatzënive të rrezikuara. Paciente me një operacion të mëparshëm, përkatësisht një lindje cezariane, obeze dhe me lindje më herët nga termini. Ekipi profesional vlerësoi se duhet të dërgohet, me paralajmërim të mëhershëm nga një instancë më e lartë, që është Spitali i Shtipit, ku ishte pranuar dhe operacioni është bërë i rregullt pa asnjë problem gjatë operacionit”, theksoi Igor Samarxhiski, gjinekolog.
Anestezia është aplikuar në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore, ndërsa ndryshimi në palcën kurrizore është konstatuar dukshëm më lart. Pas lindjes, pacientja është lëshuar nga spitali pa simptoma neurologjike, të cilat janë shfaqur disa ditë më vonë.
“Pas operimit pacientja është lëshuar pa pasur të dokumentuara simptome neurologjike, e ato janë shfaqur disa ditë më vonë. Sipas komisionit, arsyeja më e besueshme është gjakderdhja spontane nga një anomali e rrallë e enëve të gjakut, në nivel më të lartë, e cila nuk mund të vërtetohej me angiografi që ishte bërë në Klinikën e neurologjisë. Arsyeja akoma nuk është vërtetuar përfundimisht”, u shpreh Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se mbeten në kontakt me pacienten dhe familjen e saj dhe do të vazhdojë ta mbështesin gjatë trajtimit dhe rehabilitimit. Edhe Komisioni rekomandon diagnostikim shtesë për përcaktimin përfundimtar të shkakut dhe vazhdimin e rehabilitimit.


