Michael Kors ka prezantuar sot koleksionin e tij pranverë-verë 2027 në Javën e Modës së New York-ut, duke e lidhur këtë herë modën drejtpërdrejt me artin. Sfilata u zhvillua në kopshtin e skulpturave të Muzeut të Artit Modern në Nju Jork, ndërsa vetë ambienti u kthye në pikën kryesore të frymëzimit për koleksionin. Vijat grafike, format e pastra dhe kontrasti mes së zezës dhe së bardhës dominuan veshjet, të ndërthurura me momente të forta ngjyrash.
Kors, i cili e themeloi markën që mban emrin e tij 45 vjet më parë, tregoi se për këtë koleksion kishte parë te puna e artistëve Carmen Herrera, Alexander Calder dhe Ellsworth Kelly. Ajo që e tërhoqi ishte kontrasti mes formave skulpturore dhe linjave shumë të pastra. Kjo ide u përkthye në veshje që lëviznin nga fustanet elegante me një shpatull te kostumet me dy pjesë dhe fustanet verore me vija grafike.
Ngjyrat bazë ishin e zeza dhe e bardha, një kombinim që stilisti e lidhi drejtpërdrejt me Nju Jorkun. Megjithatë, koleksioni nuk qëndroi plotësisht neutral. E kuqja, jeshilja dhe e verdha u shfaqën në momente të caktuara, duke thyer paletën monokromatike dhe duke i dhënë më shumë energji veshjeve. Çantat karakteristike të Michael Kors shoqëruan shumë prej kombinimeve të prezantuara.
Edhe zgjedhja e Muzeut të Artit Modern tregon një drejtim interesant të Javës së Modës këtë sezon. Sfilatat po largohen gjithnjë e më shumë nga sallat neutrale dhe po përdorin ndërtesa, muze, hotele dhe vende historike për të krijuar një histori rreth koleksionit. Vetëm gjatë ditëve të fundit, Tommy Hilfiger e ka kthyer hotelin Plaza në pasarelë, ndërsa marka të tjera kanë zgjedhur kopshte, hapësira publike dhe ndërtesa të lidhura me identitetin e Nju Jorkut.
Në radhët e para të sfilatës së Michael Kors ishin edhe disa emra të njohur të ekranit, mes tyre Gabrielle Union-Wade, Grace Van Patten dhe Lea Michele. Por përtej personazheve të njohur dhe spektaklit të Javës së Modës, ky koleksion vjen në një moment të rëndësishëm për biznesin e markës.


