Një paketim i pazakontë po kthehet në një nga idetë më interesante të momentit në industrinë e bukurisë. Fenty Skin, Glow Recipe dhe Huda Beauty kanë tërhequr vëmendjen me hydrogel eye patches të vendosura në një paketim që funksionon ndryshe nga kutitë tradicionale. Në vend që përdoruesi të hapë kavanozin dhe të marrë patch-et me dorë, mekanizmi rrotullohet dhe i nxjerr ato një nga një, pothuajse sikur produkti të ishte duke u “prerë” në moment.
Fenty Skin prezantoi së fundmi Dew N Plump Fresh-Sliced Hydrogel Eye Patches dhe dizajni i paketimit mori shpejt vëmendje në rrjetet sociale. Më pas, produkte me mekanizma të ngjashëm nga Glow Recipe dhe Huda Beauty u shfaqën gjithashtu online, duke krijuar edhe shkëmbime me humor mes markave. Megjithatë, koncepti nuk është krejtësisht i ri / paketime të këtij lloji janë përdorur më parë nga produkte koreane të bukurisë.
https://www.instagram.com/reels/DdkxquEJ0Yf/
Ajo që po ndodh tregon edhe sa i madh është bërë ndikimi i K-Beauty përtej formulave të produkteve. Për vite me radhë, industria koreane ka ndikuar në kategori si essences, cushion foundations, sheet masks dhe lip tints. Tani ndikimi po shihet edhe në mënyrën se si produkti hapet, përdoret dhe prezantohet në kamera.
Paketimi është bërë veçanërisht i rëndësishëm në epokën e TikTok dhe Instagram, sepse një produkt nuk duhet vetëm të funksionojë mirë. Nëse mënyra e përdorimit është interesante për t’u parë, vetë produkti krijon material për video dhe mund të shpërndahet organikisht në rrjetet sociale. Një detaj që dikur do të konsiderohej thjesht funksional, sot mund të jetë pjesë e strategjisë së marketingut.


