Reshjet jashtëzakonisht të dendura të lidhura me fenomenin El Niño kanë bërë që miliona fara të fjetura nën tokë të mbijnë, duke mbuluar me lule sipërfaqe të mëdha të shkretëtirës Atacama në veri të Kilit.
Atacama, një nga vendet më të thata në Tokë, ka ndryshuar pamje pas reshjeve të forta të këtij sezoni.
Zona të gjera, zakonisht të thata dhe të zhveshura, janë mbuluar me lule vjollcë dhe të bardha, në fenomenin natyror të njohur si “shkretëtira e lulëzuar”.
Nën tokën e Atacamës ndodhen fara dhe zhardhokë të rreth 200 llojeve të ndryshme, të cilat mund të qëndrojnë të fjetura për periudha të gjata, në pritje të kushteve të përshtatshme për mbirje.

Reshjet e lidhura me El Niño-n kanë bërë që shumë prej tyre të lulëzojnë njëkohësisht. Këtë sezon, reshjet kanë qenë veçanërisht të larta.
Në disa zona ato kanë kaluar 180 milimetra, një sasi që “nuk ishte regjistruar kurrë më parë”, tha për AFP César Pizarro, përgjegjës për biodiversitetin në Atacama pranë Korporatës Kombëtare të Pyjeve të Kilit, Conaf.
Uji ka depërtuar më thellë se zakonisht në tokën ranore, duke krijuar kushtet që bimësia të shfaqet në rezervatin natyror rreth 800 kilometra në veri të Santiagos.
Sipas Conaf, lulëzimi pritet të arrijë kulmin në tetor. Agjencia vlerëson se rreth 15 mijë hektarë mund të mbulohen me lule, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh.
El Niño karakterizohet nga ngrohja e ujërave sipërfaqësore në Paqësorin ekuatorial qendror dhe lindor. Kjo ngrohje mund të ndryshojë modelet e erërave dhe reshjeve në pjesë të ndryshme të botës dhe të shkaktojë ngjarje ekstreme të motit.
Episodi aktual i El Niño mund të jetë më i forti që nga fillimi i regjistrimeve të krahasueshme rreth katër dekada më parë.
Reshjet që goditën Kilin në korrik patën edhe pasoja të rënda. Të paktën 13 persona humbën jetën, ndërsa rreth 4 mijë banesa u shkatërruan ose pësuan dëme të mëdha. /Monitor


