Fashion Institute of Technology po e kthen kampusin e tij në Manhattan në një garderobë gjigante për publikun. Më 23 dhe 24 shtator zhvillohet “27th on Sale”, një event ku do të shiten më shumë se 2,500 veshje, këpucë dhe aksesorë të rinj dhe vintage, së bashku me qindra produkte beauty. Një pjesë e artikujve do të ofrohen me ulje deri në 70%.
Mes emrave që kanë dhuruar pjesë nga garderobat e tyre janë Tracee Ellis Ross, Amanda Seyfried, Jessica Chastain dhe stilistja Patricia Field. Në event përfshihen gjithashtu produkte nga marka si Michael Kors, Mulberry, Tory Burch, Brandon Maxwell dhe Skims. Por qëllimi nuk është vetëm të organizohet një tjetër sample sale në New York.
Të ardhurat e eventit do të mbështesin bursa dhe mundësi krijuese për studentët e FIT. Vetë studentët janë përfshirë gjithashtu në organizim përmes Merchandising Society, duke marrë eksperiencë praktike në merchandising, operacione dhe mënyrën se si ndërtohet një event real retail. Për publikun do të ketë edhe konsulta stilimi, personalizime me qëndisje, prezantime librash dhe DJ studentë.
Koncepti është interesant edhe në një moment kur moda po diskuton gjithnjë e më shumë se çfarë ndodh me sasinë e madhe të veshjeve që tashmë ekzistojnë. Këtu një produkt i një sezoni të kaluar ose një veshje nga garderoba e një personazhi të famshëm merr një jetë të dytë, ndërsa paratë kalojnë drejt edukimit të krijuesve të rinj.


