Lamine Yamal nuk tërheq vëmendjen vetëm kur prek topin. Këtë herë, ylli i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle bëri që të gjithë sytë të ktheheshin nga ai përpara se të hynte në fushë, falë një zgjedhjeje mode që kushton mijëra euro.
19-vjeçari u shfaq në grumbullimin e kombëtares së Spanjës në Las Rozas me një look të veçantë, ku detaji që vodhi gjithë vëmendjen ishte kombinimi i dy çantave Chanel.

Yamal kishte zgjedhur një palë xhinse të gjera, një xhaketë sportive në ngjyrë të verdhë, këpucë të zeza dhe syze dielli. Por aksesori që e transformoi të gjithë paraqitjen ishte çanta Chanel në ngjyrë rozë, e kombinuar me një tjetër çantë të vogël të verdhë.
Ky kombinim njihet si “double-bagging”, një trend ku dy çanta mbahen së bashku si pjesë e të njëjtit look. Në rastin e Yamal, zgjedhja nuk ishte aspak modeste: vlera e dy aksesorëve është raportuar rreth 13 mijë euro.

Çanta kryesore është një Chanel Classic Flap prej lëkure qengji në nuancë rozë, ndërsa çanta e dytë është një model më i vogël në ngjyrë të verdhë. Disa burime japin vlerësime të ndryshme për çmimin e secilës pjesë, në varësi të modelit dhe tregut të rishitjes.
Dhe duket se Yamal është tashmë një adhurues i rregullt i aksesorëve luksozë. Në koleksionin e tij janë parë edhe çanta të tjera të markave prestigjioze, ndërsa koleksioni i tij i çantave është vlerësuar nga mediat në dhjetëra mijëra dollarë.

Paraqitja e tij nuk kaloi pa u komentuar as në rrjetet sociale. Fotot dhe videot e mbërritjes së futbollistëve në grumbullimin e Spanjës u kthyen shpejt në një “pasarelë” mode, me lojtarë të ndryshëm që shfaqën zgjedhjet e tyre luksoze.
Por këtë herë ishte Yamal ai që mori pjesën më të madhe të vëmendjes. Në moshën vetëm 19-vjeçare, futbollisti po ndërton një imazh që shkon përtej futbollit, duke eksperimentuar gjithnjë e më shumë me modën dhe duke zgjedhur aksesorë që nuk kalojnë lehtë pa u vënë re.
Në fushë, ai pritet të jetë sërish në qendër të vëmendjes me Spanjën në ndeshjet e ardhshme të Nations League. Jashtë saj, duket se Yamal tashmë ka gjetur një mënyrë tjetër për të bërë bujë: me një çantë Chanel… ose këtë herë, me dy.


