Jennifer Lopez ka mbërritur në Javën e Modës në Milano dhe, siç pritej, nuk kaloi aspak pa u vënë re. Këngëtarja dhe aktorja 57-vjeçare solli një kombinim elegant, por me një detaj provokues që i dha një tjetër dimension pamjes së saj.
Lopez u fotografua në Milano me një këmishë të bardhë oversize të lënë të hapur, duke zbuluar një reçipetë të zezë poshtë saj. Ajo e kombinoi me pantallona të zeza me bel të lartë dhe këmbë jashtëzakonisht të gjata, duke krijuar një siluetë elegante dhe të zgjatur.

Look-u u kompletua me këpucë me platformë dhe një çantë të zezë të strukturuar nga Dolce & Gabbana, një prej markave me të cilat Lopez ka krijuar një lidhje të fortë gjatë muajve të fundit.
Zgjedhja e saj është një interpretim i trendit “peekaboo bra”, ku një pjesë e reçipetës lihet qëllimisht të duket nën veshje më klasike. Në rastin e J.Lo, kontrasti mes këmishës së bardhë dhe reçipetës së zezë e bëri kombinimin të dukej njëkohësisht elegant dhe sensual.

Dhe duket se ky ishte vetëm fillimi. Që prej mbërritjes në Milano, Lopez ka sjellë një seri look-esh spektakolare, duke qëndruar kryesisht te krijimet e Dolce & Gabbana.
Në një tjetër paraqitje, ajo zgjodhi një kombinim tërësisht nga Dolce & Gabbana, me një bustier krem me dantellë dhe xhinse oversize me bel të lartë. Pamjen e kompletoi me një pallto dramatike me jakë dhe mansheta prej gëzofi në ngjyrë bordo.

Ndërsa për Vogue World: Milano 2026, Lopez shkoi në një drejtim krejt tjetër. Ajo veshi një fustan të zi bustier, të zbukuruar me rruaza, të shoqëruar me doreza të zeza transparente, këpucë elegante dhe një varëse spektakolare.
Paraqitja e saj në Milano vjen pas një tjetër momenti të rëndësishëm në Itali. Në korrik, Lopez mori pjesë në shfaqjen “Alta Moda” të Dolce & Gabbana në Taormina, ku u shfaq me një krijim të personalizuar të markës.

Vetë Lopez ka folur më herët për marrëdhënien e saj me shtëpinë italiane të modës.
Gjithmonë jam ndier në harmoni me Dolce & Gabbana, sepse kam ndjesinë se përmes veshjeve të tyre ata tregojnë vërtet dashuri për gratë
-ka thënë ajo për Vogue.
Gjithmonë ka pasur një lloj sensualiteti, atë sensualitetin italian. Mendoj për Sophia Loren apo Gina Lollobrigida, aktore legjendare që e kanë përcaktuar gruan italiane si seksi, të bukur dhe të fortë
-shtoi Lopez.
Me një gardërobë që po bëhet gjithnjë e më spektakolare gjatë qëndrimit të saj në Milano, J.Lo duket se ka vendosur ta kthejë Javën e Modës në një tjetër skenë ku stili i saj merr gjithë vëmendjen.


