Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se mbrëmë vonë inspektorët kanë kapur në flagrancë një person duke hedhur mbetje ndërtimore dhe mbetje të mëdha pranë kontejnerëve në Kisella Vodë, duke krijuar deponi ilegale.
Sipas tij, personi është sanksionuar tashmë.
“Për veprime të tilla nuk ka tolerancë. Ndërsa ekipet tona punojnë 24 orë për një qytet më të pastër, individë të caktuar e dëmtojnë punën e bërë dhe ndotin mjedisin ku jetojmë të gjithë”, shkroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se inspektorët janë në terren 24 orë në ditë, ndërsa po zhvillohet edhe procedurë për vendosjen e kamerave në hapësirat publike, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin më të shpejtë të shkelësve.
“Zero tolerancë për këdo që hap deponi në hapësirat publike dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve”, tha Gjorgjievski.


