Rusia ka bërë një rikthim në futbollin ndërkombëtar, pasi FIFA ka përfshirë përfaqësuesen e saj U-15 në shortin e Kupës së Botës për këtë grupmoshë, që do të zhvillohet në Azerbajxhan.
Rusia është vendosur në një grup me Turqinë, Afganistanin, Xhibutin, Sierra Leonen dhe Sudanin. Ky është lehtësimi i parë i rëndësishëm i masave ndaj Rusisë në sport që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Megjithatë, rikthimi është i kufizuar vetëm në nivelin e të rinjve. Të gjitha 211 shoqatat anëtare të FIFA-s kishin marrë ftesa për pjesëmarrje në këtë turne që në dhjetor të vitit të kaluar, raporton GOAL.
FIFA ka theksuar se formati i turneut është krijuar për të zvogëluar dallimet konkurruese mes federatave nga vende të ndryshme të botës.
“Kupa e Botës dhe Festivali FIFA U-15 adresojnë një sfidë themelore në futbollin ndërkombëtar: ofrimin e mundësive kuptimplota për gara për kombet për të cilat kualifikimi në garat e FIFA-s mbetet një sfidë e jashtëzakonshme”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
Përfshirja e ekipit U-15 nuk ndryshon pezullimin e përfaqësueseve seniore dhe klubeve ruse nga garat kryesore ndërkombëtare, përfshirë Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kampionëve.
UEFA ka bërë të qartë se përfaqësueset dhe klubet ruse mbeten jashtë këtyre garave përderisa vazhdon lufta në Ukrainë


