Millie Bobby Brown dhe bashkëshorti i saj, Jake Bongiovi, kanë zgjeruar familjen. Çifti i njohur ka mirëpritur fëmijën e tyre të dytë përmes adoptimit, pak më shumë se një vit pasi u bënë prindër për herë të parë. Lajmi u raportua fillimisht nga PEOPLE, duke cituar një burim pranë çiftit.
Vetë Millie dhe Jake më pas konfirmuan ardhjen e anëtarit të ri të familjes përmes një postimi në Instagram. Çifti publikoi një fotografi ku shihen duart e tyre dhe duart e fëmijëve, ndërsa krahas imazhit shkruan thjesht: “Çkemi djalë i vogël!”.

Kështu, bëhet e ditur se fëmija i dytë është djalë. Çifti, megjithatë, nuk ka zbuluar ende emrin e tij dhe nuk ka treguar fytyrën e vogëlushit, duke vazhduar të mbajë larg vëmendjes publike detajet më personale të jetës së fëmijëve.
Vajza e tyre e parë erdhi në familje përmes adoptimit në gusht të vitit 2025. Në atë kohë, Brown dhe Bongiovi njoftuan se po nisnin një kapitull të ri si prindër dhe kërkuan që kjo periudhë të respektohej me privatësi.

Aktorja e “Stranger Things” ka folur edhe më parë hapur për dëshirën e saj për të adoptuar. Në një intervistë këtë vit, ajo e përshkroi adoptimin si diçka që kishte qenë pjesë e ëndrrave të saj që në fëmijëri dhe tha se për të “adoptimi është dashuri”.
Madje, Brown kishte treguar se përpara se të bëhej nënë kishte marrë kohë për të kuptuar më mirë procesin e adoptimit dhe historitë e ndryshme që lidhen me të. Ajo kishte thënë se ajo që e kishte bërë më emocionuese përvojën ishte momenti kur morën telefonatën që u njoftonte për vajzën e tyre.
Lajmi për fëmijën e dytë vjen pasi fansat kishin filluar të dyshonin se familja mund të ishte zgjeruar. Në fillim të shtatorit, Millie publikoi fotografi dhe video nga një udhëtim familjar në Dolomite, Itali. Në një prej pamjeve, ajo shihej duke mbajtur vajzën e tyre, ndërsa Jake dukej se kishte një mbajtëse bebeje.
Çifti është martuar në maj të vitit 2024, pas disa vitesh lidhje, dhe që prej atëherë ka qenë relativisht i rezervuar për jetën familjare. Brown ka shpjeguar më herët se dëshiron që fëmijët e saj të kenë mundësinë të vendosin vetë, kur të rriten, nëse duan apo jo ta ndajnë historinë e tyre me publikun.
Tashmë, Millie Bobby Brown dhe Jake Bongiovi janë zyrtarisht një familje prej katër anëtarësh.


